Gjatë 2025, Shqipëria nuk ka arritur të përmbushë kushtin e NATO-s për 2% e prodhimit të brendshëm bruto për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Lajmin që u shpërnda me burime nga një gazetë holandeze dhe të cilës ju referuan të premten disa media shqiptare, në fakt e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në konferencën për shtyp të datës 17 qershor para takimit të Ministrave të Mbrojtjes.
Mark RUTTE: “Sa i përket objektivit prej 2% pothuajse të gjithë aleatët e kanë arritur. Vitin e shkuar, Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kanë arritur këtë nivel, por kanë marrë angazhimin e qartë se gjatë këtij viti do ta tejkalojnë pragun prej 2%. Këto tre vende kanë një mungesë prej 800 mln dollarësh për të arritur plotësisht nivelin 2%.”
Për vitin 2025 Ministria e Mbrojtjes kishte një buxhet prej afro 55.2 mld lekësh, por sipas burimeve në shpenzimet faktike nuk e arrinin vlerën e 2% të PBB. Sipas të njëjtave burimeve, për të përmbushur plotësisht këtë kusht të aleancës vendi ynë ka kërkuar kredi nga aleatët, procedurë e cila nuk ka arritur të mbyllet brenda 2025.
A2CNN kërkoi një shpjegim nga Ministria e Mbrojtjes se pse në fund të vitit të shkuar Shqipëria nuk e përmbushi këtë prag. Deri në transmetimin e kësaj kronike nuk ka ende një shpjegim për këtë.
Deri në vitin 2035 Shqipëria do të duhet të çojë në 5% buxhetin për shpenzimet për Aleancën. Ndërkohë gjatë vitit që vjen vendi ynë është caktuar si vendi që do të mbajë samitin e NATO-s.
