Barcelona ka siguruar shërbimet e një tjetër talenti premtues për të ardhmen.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, klubi katalanas ka arritur marrëveshje me LDU Quito për transferimin e sulmuesit anësor ekuadorian, Josue Caicedo, shkruan IndeksOnline.
Marrëveshja është arritur fillimisht si huazim me opsion blerjeje, i cili mund të shndërrohet në detyrim blerjeje, me vlerë totale që arrin rreth 2.5 milionë euro.
LDU Quito tashmë ka pranuar propozimin e Barcelonës, ndërsa lojtari ka dhënë pëlqimin e tij për transferimin.
Caicedo, i lindur në vitin 2007 dhe konsideruar si një nga talentet më premtuese të futbollit ekuadorian, pritet të nënshkruajë së shpejti kontratën me Barcelonën. Ai do t’i bashkohet fillimisht skuadrës Barcelona B, ku do të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të përshtatet me futbollin evropian, me synimin për të bërë më pas hapin drejt ekipit të parë./IndeksOnline/
