Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.

Maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e testimit më së voni në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.

Testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përfshijë të gjitha lëndët për të gjithë kandidatët. Ai përmban 100 pyetje, përkatësisht nga 25 për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati.

Ministria rikujton se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat që konstatohet se posedon telefon ose pajisje elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.

Sipas MAShT-it, Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.