Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për një protestë demokratike në mbështetje të projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) dhe për ruajtjen e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti theksoi se refuzimi i projektit nga Qeveria e Kosovës po vazhdon, pavarësisht kërkesave të përsëritura të zyrtarëve amerikanë. Ai paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një projekti rajonal me rëndësi strategjike.

Sipas tij, projekti e ka zanafillën te Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, ndërsa kundërshtimet kryesore ndaj tij kanë ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Hoti shtoi se arsyetimet e Qeverisë për refuzimin e projektit janë të natyrës ekonomike, por, sipas tij, ato janë të pabazuara.

Ai vlerësoi se projekti i gazit amerikan është në përputhje me strategjinë energjetike të Kosovës dhe se do të kontribuonte në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit.

Sipas Hotit, refuzimi i projektit po shkakton pasoja ekonomike për qytetarët dhe bizneset, duke theksuar se në katër vitet e fundit janë paguar qindra miliona euro për importin e energjisë elektrike.