Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka thënë se vendi ka humbur një vit të tërë me një gjendje të përhershme të zgjedhjeve e fushatave dhe kjo gjendje ka ndikuar në të gjitha proceset që e çojnë këtë vend drejt Bashkimit Evropian.
Terras shtoi se këshilla e tij është që të ketë sa më parë qeveri për të nisur punën rreth reformave.
“Këshilla ime e parë është që sa më shpejt të jetë e mundur të gjendet udha për të bërë një koalicion qeveritar i cili do të jetë në gjendje që të veprojë shpejt dhe të nisin me të gjitha reformat që janë planifikuar. Por pikë së pari çështja më e rëndësishme është që të ketë një qeveri funksionale”, deklaroi Terras, në Klankosova.
Eurodeputeti shpreson që të gjitha partitë politike t’i lënë anash diferencat e tyre dhe të mundohen të gjejnë emëruesin e përbashkët për të krijuar një qeveri të fortë dhe funksionale.
Edhe përkundër bllokadave politike në vend viteve të fundit, Terras është i mendimit se Kosova akoma është në rrugë të mirë drejt Bashkimit Evropian.
Ai thotë se ishin parlamentarët evropianë ata që e shtynë komisioneren për zgjerim, Marta Kos, që ta vizitojë Kosovë.
“Tani, çdo person i rëndësishëm i institucioneve evropiane e ka vizituar Kosovën dhe porosia ishte e njëjta: të gjithë mendojnë që Kosova është në një rrugë të mirë dhe se një qeveri funksionale duhet të jetë aty. Kjo për të pasur një partner për të negociuar dhe të ketë një partner për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe të çelen bisedimet e pranimit në Union”, deklaroi Terras.
Riho Terras tha më tej se sfida e vetme dhe më e madhe për BE-në, në kontekst të hapjes së bisedimeve me Kosovën për anëtarësim, është që pesë shtete anëtare të Unionit nuk e njohin Kosovën deri tani.
“Ne prej anës sonë, të Parlamentit Evropian, po mundohemi të ju qasemi këtyre vendeve dhe t’i pyesim se çka po mendojnë ato. Kanë kaluar më shumë se 20 vite dhe ata akoma nuk e dinë cila është rruga përpara, cili është plani i tyre, qysh ata do të vazhdojnë me këtë”.
“Për mendimin tim, Komisioni Evropian duhet të hapë diskutimet dhe t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidat gjithsesi. Kjo përkundër faktit që disa vende nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe hapja e bisedimeve për pranim do të ishte një shenjë e mirë edhe për vendet mosnjohëse”, theksoi eurodeputeti.
Duke folur për situatën e sigurisë në vend, Terras tha se herën e fundit kur ishte në Kosovë, kishte vizituar edhe selinë qendrore të KFOR-it. “Porosia nga lidershipi i KFOR-it ishte mjaft pozitive dhe se situata mjaft është stabilizuar dhe se asgjë nuk qëndron në rrugën për të pasur marrëdhënie të mira ndërfqinjësore; pikë së pari me Serbinë dhe me minoritetin serb” në Kosovë.
Për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Terras tha se BE-ja duhet të bëjë krejt çka mundet që t’i shtyjë të dyja anët në dialog “dhe ta shtynë Serbinë aq sa po e shtynë Kosovën”.
“Problemi tani është që unë nuk shoh që Bashkimi Evropian është fort aktiv në raport me palën serbe. Dhe Serbia nuk dëshiron që të gjejë rrugë për të dalë nga kjo” situatë, shtoi eurodeputeti nga Estonia.
Ai thotë se mënyra më e mirë për të dyja palët “është që të harrojnë konfliktet dhe të angazhohen bashkërisht që të kenë një rajon paqësor”.
“Të gjejnë rrugë për këtë dhe BE-ja të ndërmjetësojë në këtë proces dhe të shtyjë të dyja shtetet për të gjetur mënyrat për këtë”, tha Terras, ndonëse sipas tij emisari për dialog, Peter Sorensen, nuk ka bërë mjaftueshëm në këtë aspekt.
Por në fund të fundit, sipas tij, “vetëm Kosova e Serbia janë në gjendje që të zgjidhin problemin”.
