Gjakovë: Arrestohet pronari i poligonit të armëve, dyshohet për inskenim vjedhjeje dhe shitje të paautorizuar

Gjakovë, 3 nëntor 2026 – Policia e Kosovës ka arrestuar sot pronarin e një poligoni armësh në Gjakovë, V.C., nën dyshimin se ka inskenuar vjedhjen e armëve nga depoja e tij dhe i ka shitur ato palëve të treta. Rasti fillimisht ishte raportuar si “vjedhje e rëndë” më 30 tetor 2026.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kishin nisur hetimet pas paraqitjes së rastit. Gjatë vazhdës së hetimeve, janë ngritur dyshime të arsyeshme se raportimi i pronarit të depos-poligonit ishte në fakt një inskenim i vjedhjes. Më tej, dyshohet se armët nga ky poligon i licencuar janë keqpërdorur, duke u shitur palëve të treta nga vetë pronari.

Me qëllim të sigurimit të provave shtesë, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Deklarimi i rremë”, njësitet policore kanë zhvilluar kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës.

Gjatë këtyre kontrolleve, është arrestuar i dyshuari V.C., mashkull kosovar, dhe janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren në procedurën penale. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, V.C. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.