Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe stabilitetin financiar.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e finalizimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimit formal të tij pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC). Kjo hap do të ndërmerret pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas njoftimit të lëshuar, guvernatori Ismaili e informoi kryeministrin Kurti se sektori financiar në vend është stabil dhe se Banka Qendrore e Kosovës gëzon qëndrueshmëri financiare.
Po ashtu, bisedimet përfshinë reformat që po zhvillohen për forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Një temë tjetër e diskutuar ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, krahas anëtarësimit në SEPA, pritet të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe në rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në takim u theksua edhe rëndësia e koordinimit ndërinstitucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Në mbyllje, Kryeministri Kurti dhe Guvernatori Ismaili shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të qëndrueshmërisë financiare, modernizimit të sektorit dhe avancimit të integrimit evropian, duke respektuar plotësisht pavarësinë dhe mandatin e Bankës Qendrore të Kosovës.
