Dega e Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka akuzuar udhëheqjen komunale për dëmtimin e Bulevardit “Ibrahim Rugova” dhe Parkut të Qytetit, duke kërkuar reagim nga Prokuroria e Shtetit.

Përmes një komunikate, LDK-ja ka pretenduar se ndërhyrjet në këtë hapësirë janë bërë pa leje dhe pa dokumentacionin e nevojshëm planifikues.

“Bulevardi Ibrahim Rugova, me mushkëritë e tij, u masakrua pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor, e tash e pesë vite pa mundësi të zonimit”, thuhet në reagim.

Partia opozitare ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë këtë çështje, ndërsa ka akuzuar pushtetin lokal për keqmenaxhim të komunës.

“Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë! Komuna, nga kunatat e balldëskat, po trajtohet si çiflig”, thuhet më tej në komunikatë.

LDK-ja ka kritikuar edhe mungesën e progresit në disa projekte infrastrukturore, duke përmendur autostradën, stadiumin e qytetit dhe disa rrugë të rëndësishme.

“Nuk u vazhdua autostrada, nuk u përfundua stadiumi, nuk u punuan rruga e Prishtinës, ajo e Kllokotit dhe e Kumanovës. Nuk po punohen kolektorët e as impianti, por po prehet e masakrohet Parku i Gjilanit”, thuhet në reagim.

Sipas degës së LDK-së, një sërë projektesh të nisura gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë siguruar financim ndërkombëtar, por po mbesin të pazbatuara.

“‘Projektet e Lutës’, që japin zgjidhje sistemore dhe e ngrejnë Gjilanin në një nivel të ri zhvillimor, kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare. Fatkeqësisht, mungesa e dijes dhe e vullnetit për t’i zbatuar po i mban këto projekte peng dhe po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja ka përsëritur kundërshtimin e saj ndaj veprimeve të pushtetit lokal.

“Nuk kalon! Lavdi marrëzisë! Gjilani i qytetarëve”, thotë komunikata e LDK-së në Gjilan.