**Zbulohet ilaçi i ri injektues që premton t’i japë fund vuajtjes nga migrena**

Dhimbjet e kokës të shkaktuara nga migrena shpesh bëhen të papërballueshme. Për mijëra persona që vuajnë nga ky problem shëndetësor, trajtimet standarde shpesh ofrojnë vetëm lehtësim të përkohshëm.

Në këtë kontekst, një ilaç i ri injektues, i zbuluar vitin e kaluar, është përshkruar si një ndryshim jetësor për pacientët që e kanë përdorur, raporton Klan Kosova.

Ilaçi, i quajtur Aimovig (ose erenumab), është trajtimi i parë që synon të bllokojë procesin që çon në shfaqjen e simptomave të migrenës. Ky medikament përmban antitrupa të klonuar që bllokojnë një mekanizëm specifik, i cili shkakton zgjerimin e enëve të gjakut në tru dhe, si pasojë, një sulm migrene.

Mjekët specialistë e kanë cilësuar këtë si ‘një nga përparimet më të rëndësishme në terapinë e migrenës në dekada’.

Megjithatë, në fillim të këtij muaji, pacientët u përballën me një zhgënjim të madh kur Instituti Kombëtar për Përsosmërinë e Shëndetit dhe Kujdesit (NICE) – organi mbikëqyrës i shpenzimeve të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS) për Anglinë dhe Uellsin – refuzoi të financojë ilaçin. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se autoritetet shëndetësore në Skoci tashmë i kishin dhënë dritën jeshile.