**Rafuna: Taksat e reja komunale në Prishtinë do t’i bartën qytetarëve**
**Prishtinë** – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësimin e komunitetit të biznesit lidhur me draft-rregulloren e Komunës së Prishtinës për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale. Sipas tij, çdo taksë e re e vendosur për bizneset do të shndërrohet në kosto shtesë, e cila në fund do t’u bartet qytetarëve, si konsumatorë të produkteve dhe shërbimeve.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna theksoi se Oda Ekonomike ende nuk ka zhvilluar diskutime me Komunën e Prishtinës për përmbajtjen e draft-rregullores dhe se është shumë herët për të dhënë një vlerësim të plotë për efektet që mund të ketë tek bizneset. Ai shtoi se pas përfundimit të konsultimit publik, presin të zhvillojnë takime me zyrtarët komunalë dhe me shoqatat e bizneseve, me qëllim analizimin e ndikimit të masave të propozuara.
“Nuk kemi pasur një bashkëbisedim me komunën lidhur me draft-rregulloren. Është draft-rregullore dhe presim që në një moment të caktuar të kemi një takim dhe të shohim se cilat do të jenë efektet e kësaj rregulloreje te bizneset, nëse hyn në fuqi,” tha Rafuna. “Ne gjithmonë kërkojmë që bizneset të mos jenë të ngarkuara, sepse çdo taksë për to është një kosto operative që i bartet qytetarit, i cili është konsumator i fundit.”
Sipas Rafunës, ndër sektorët që mund të preken më shumë nga këto masa janë transporti dhe ndërtimtaria, për shkak të operimit të tyre në territorin e Prishtinës me mjete dhe makineri të regjistruara në komuna të tjera. Ai përmendi sidomos shoqatat e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si dhe atë të ndërtimit, duke vënë theksin te mjetet e rënda që qarkullojnë brenda ditës.
Kryetari i OEK-ut kërkoi sqarime shtesë nga komuna para miratimit të rregullores, pasi ende ka paqartësi rreth mënyrës së zbatimit të disa prej masave të propozuara. “Për ne është e paqartë, pasi sipas paraqitjeve publike, taksa thuhet se do të vendoset vetëm për vetura, por jo edhe për makineri ose mjete pune. Vendosja e çfarëdo takse qoftë, është kosto shtesë për biznesin dhe padyshim i bartet konsumatorit, duke rritur çmimin,” deklaroi Rafuna. Ai i bëri thirrje zyrtarëve komunalë që, para finalizimit dhe votimit të rregullores, të zhvillojnë një takim për të qartësuar mënyrën e zbatimit, objektin dhe fushën e prekjes së saj.
Rafuna shtoi se, përveç përmbajtjes së masave, rëndësi të veçantë ka edhe koha e zbatimit të tyre. “Duhet të shihet edhe momenti i duhur. Ndonjëherë vendimet janë shumë të drejta dhe të mira, mirëpo duhet të dihet se kur është momenti më i mirë për t’i vënë në zbatim dhe për të filluar t’i aplikuar,” tha ai, duke shpresuar se zyrtarët komunalë e kanë vlerësuar këtë çështje dhe se data e hyrjes në fuqi do të rishqyrtohet.
Komuna e Prishtinës ka nxjerrë për konsultim publik Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Konsultimi publik ka nisur më 13 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 24 qershor 2026.
Draft-rregullorja parashikon ndryshime në mënyrën e taksimit të bizneseve, duke përcaktuar tarifa vjetore sipas llojit të veprimtarisë ekonomike. Në draft janë përfshirë kategori të ndryshme biznesesh, si sektori i ndërtimit, tregtisë, hotelerisë, shëndetësisë private, arsimit privat, bankave, telekomunikacionit dhe shërbimeve profesionale, me tarifa të veçanta për secilën veprimtari.
Dokumenti parashikon gjithashtu lirimin nga pagesa e taksës komunale për bizneset e reja gjatë vitit të parë të regjistrimit, si dhe ulje prej 50 për qind për bizneset në pronësi të grave dhe vajzave gjatë dy viteve të para të funksionimit.
Sipas draftit, bizneset me më shumë se një njësi afariste do të taksohen edhe për njësitë shtesë, ndërsa ato me seli jashtë Prishtinës, por me veprimtari në territorin e kryeqytetit, do t’i nënshtrohen pagesës së tarifave komunale për njësitë që operojnë atje. Draft-rregullorja përfshin edhe vendosjen e taksës së akomodimit prej 1 euro për person për çdo natë qëndrimi në objektet akomoduese, si dhe obligimin e operatorëve për ta mbledhur, raportuar dhe transferuar këtë taksë në komunë. Po ashtu, dokumenti përmban dispozita për procedurat e faturimit, pagesës, ankesave dhe mbledhjes së detyrimeve komunale, si dhe dispozita kalimtare për zbatimin gradual të tarifave të reja.
