**Zvicra: Rënie e Lindjeve për të Katërtin Vit Radhazi, Numri i Vdekjeve Mbetet Stabil**
Zvicra po përballet me një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve, një prirje që vërehet për të katërtin vit radhazi. Ndërkohë, numri i vdekjeve ka mbetur pothuajse i pandryshuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) dhe të raportuara nga radiotelevizioni publik zviceran SRF, gjatë vitit 2025 në Zvicër u regjistruan 78,200 lindje. Kjo shifër shënon një ulje të lehtë prej 0.1 për qind në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, kjo rënie është pak më e butë se ajo e viteve të mëparshme, ku në vitin 2024 ulja e lindjeve ishte mbi 2 për qind.
Nga ana tjetër, numri i vdekjeve në vend mbetet pothuajse i pandryshueshëm. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 71,900 raste vdekjesh, një shifër pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2024.
Statistikat tregojnë gjithashtu një ndryshim interesant sa i përket moshës së nënave. Lindjet ranë te gratë nën moshën 35 vjeçare, ndërsa u rritën me mbi 3 për qind te gratë mbi këtë moshë. Si pasojë, mosha mesatare e nënave gjatë lindjes ka arritur në 32.5 vjeç.
Aktualisht, shkalla mesatare e lindshmërisë në Zvicër ka rënë në 1.28 fëmijë për grua, një fenomen ky që po prek edhe vendet fqinje si Franca apo Italia. Përveç rënies së lindjeve, Zyra Federale e Statistikave njoftoi se në Zvicër ka pasur edhe një rënie të numrit të martesave dhe të divorceve gjatë vitit të kaluar.
