Madonna po planifikon një arsim britanik për binjaket e saj të adoptuara, Stella dhe Estere. Mediat britanike raportojnë se ky vendim mund të shënojë një kapitull të ri në jetën e artistes dhe familjes së saj.
Vajzat 13-vjeçare janë në qendër të planeve të saj për t’u larguar nga sistemi arsimor amerikan, shkruan *DailyMail*.
Sipas raportimeve, “Mbretëresha e Pop-it” ka vizituar të paktën një herë Cheltenham Ladies’ College, një nga shkollat private më prestigjioze për vajza në Mbretërinë e Bashkuar, shpesh e quajtur “versioni femëror i Eton”.
Ky institucion, i themeluar në vitin 1853, konsiderohet një nga më të vështirët për t’u pranuar dhe ka nxjerrë personalitete të njohura si Zara Tindall, aktorja Kristin Scott Thomas dhe ish-bashkëshortja e Elon Musk, Talulah Riley, thekson *DailyMail*.
Burime pranë këngëtares bëjnë të ditur se ajo dëshiron t’u sigurojë vajzave një edukim të mirëfilltë britanik dhe shpreson që ato të nisin studimet atje në shtator.
Edhe pse Madonna zotëron një rezidencë luksoze me 10 dhoma gjumi në lagjen Marylebone të Londrës, binjaket pritet të jetojnë në konviktin e shkollës.
Në muajt e fundit, artistja 67-vjeçare ka kaluar më shumë kohë në Britani, ku po punon edhe për muzikë të re në bashkëpunim me producentin Stuart Price.
Sipas raportimeve, ajo po shqyrton madje mundësinë për t’u zhvendosur në fshat, duke e kthyer Mbretërinë e Bashkuar në qendrën e re të jetës së saj.
Madonna adoptoi Stella dhe Esteren nga Malavi në vitin 2017. Ajo ka treguar vazhdimisht lidhjen e fortë që vajzat ruajnë me vendin e tyre të lindjes përmes organizatës bamirëse “Raising Malawi”. Përveç tyre, ylli i muzikës është nënë e Lourdes, Rocco, David Banda dhe Mercy James.
