PZAP: Refuzohen kërkesat e Haxhiut dhe Kryeziut për rinumërim të plotë të votave të PDK-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të paarsyetuara ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut. Ata kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale për kandidatët e partisë, pas një rinumërimi të pjesshëm në 185 vendvotime.

Sipas vendimeve të siguruara nga Ekonomia Online, PZAP vlerësoi se pretendimet e kandidatëve nuk ishin mbështetur me prova konkrete për ekzistencën e parregullsive sistematike. Paneli theksoi se ndryshimet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm nuk cenojnë integritetin e përgjithshëm të procesit zgjedhor.

Në ankesën e tij, Bekim Haxhiu kishte argumentuar se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve, ai kishte fituar gjashtë vota shtesë, por diferenca me kandidatin e renditur para tij mbeti 102 vota. Për këtë arsye, Haxhiu kërkoi verifikimin e saktësisë së numërimit të votave preferenciale të PDK-së në të gjitha vendvotimet.

Megjithatë, PZAP konstatoi se ankuesi nuk kishte identifikuar asnjë vendvotim specifik apo qendër numërimi ku mund të dyshohej për parregullsi dhe nuk kishte paraqitur prova materiale. Paneli theksoi se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar si pjesë e një mekanizmi kontrollues të paraparë me ligj, dhe jo si pasojë e parregullsive sistematike. Gjithashtu, diferenca prej 102 votash, ndonëse relevante për interesin individual të kandidatit, nuk përbën bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm.

Edhe ankesa e kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziut, u refuzua nga PZAP. Kryeziu kishte pretenduar se rinumërimi i 185 vendvotime i kishte sjellë 589 vota shtesë në favor të tij, duke krijuar dyshim objektiv për saktësinë e numërimit edhe në vendvotimet e tjera.

Por, PZAP arriti në përfundimin se rezultatet e rinumërimit nuk kishin evidentuar një model sistematik të pasaktësive. Paneli vlerësoi se ndryshimet në votat e kandidatëve ishin shpërndarë në të dy drejtimet, me kandidatë që kishin fituar dhe të tjerë që kishin humbur vota. PZAP theksoi se një masë e jashtëzakonshme si rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi nuk mund të urdhërohet mbi baza hipotetike, por vetëm kur ekzistojnë prova objektive që tregojnë se rezultati zgjedhor është cenuar seriozisht.

Në përfundim, PZAP deklaroi se as Haxhiu dhe as Kryeziu nuk kishin ofruar prova konkrete, si formularë rezultatesh, raporte vëzhguesish apo dokumente të tjera, që do të mbështesnin pretendimet e tyre për parregullsi të përhapura në procesin e numërimit. Për rrjedhojë, të dyja ankesat u refuzuan si të pabazuara.