**Kryetari Peci angazhohet si vullnetar për parandalimin e zjarreve në Kodrën e Cërrnushës**

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar formimin e një grupi vullnetarësh për parandalimin e zjarreve në Kodrën e Cërrnushës. Vetë Peci do të angazhohet personalisht si vullnetar në këtë lokalitet, i cili ka qenë pre e zjarreve të shumta në dekadën e fundit.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në profilin e tij në Facebook, Peci theksoi se prezenca fizike dhe aktivitetet e vullnetarëve do të kontribuojnë në uljen e rrezikut të zjarreve. Ai shtoi se do të kalojë disa ditë në Kodrën e Cërrnushës, duke u bashkuar me vullnetarët e tjerë.

Kryetari shpjegoi arsyet e këtij angazhimi: “Jam në Kodrën e Cërrnushës, një prej zonave që fatkeqësisht në dekadën e fundit ka qenë vatër e zjarreve. Si rezultat i zjarrit të madh që e kaploi Cërrnushën dhe lokalitetet përreth vitin e kaluar, dëmet janë të mëdha, pemët janë tharë dhe rreziku është edhe më i lartë këtë vit.”

Ai theksoi vendosmërinë për të vepruar: “Ne kemi vendosur të mos qëndrojmë duarkryq, duke themeluar grupin e vullnetarëve që nëpërmjet aktiviteteve dhe pranisë fizike do të kontribuojnë në uljen e rrezikut të përfshirjes nga zjarri.”

Peci përsëriti angazhimin e tij personal: “Si kryetar i Mitrovicës së Jugut, do të jem njëri nga vullnetarët që disa ditë e netë do t’i kalojë bashkë me vullnetarët e tjerë në këtë lokalitet, në mënyrë që të parandalojmë më të keqen për natyrën dhe për komunën tonë.”