Kosova renditet e 55-ta globalisht për nivelin e militarizimit
Në bazë të Indeksit Global të Paqes, Kosova është pozicionuar në vendin e 55-të në botë për nivelin e militarizimit. Ky indeks mat shkallën e militarizimit përmes shtatë treguesve kryesorë, të cilët përfshijnë shpenzimet ushtarake në raport me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), numrin e personelit ushtarak për 100 mijë banorë, si dhe importet dhe eksportet e armëve konvencionale.
Sipas të dhënave të indeksit, Kosova ka marrë 1.696 pikë, duke u vendosur një pozicion pas Marokut, që renditet i 54-ti. Në nivel rajonal, Mali i Zi shfaqet më lart se Kosova, në vendin e 53-të.
Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, Bosnja dhe Hercegovina ka një pozicion dukshëm më të lartë, duke zënë vendin e 20-të. Serbia ndodhet në vendin e 86-të, ndërsa Shqipëria në të 88-tin.
Vendet me shkallën më të lartë të militarizimit në botë janë Izraeli, Koreja e Veriut, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina. Në të kundërt, ndër vendet me nivelin më të ulët të militarizimit përfshihen Islanda, Malajzia, Butani, Moldavia dhe Sllovenia.
