Ministri Fatmir Gjeka: Vuçiq dëshiron të radikalizojë serbët në Mal të Zi, por nuk po arrin të imponojë vullnetin e tij

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave i Malit të Zi, Fatmir Gjeka, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, synon të radikalizojë serbët në këtë vend.

Gjeka shtoi se një nga arsyet e sulmeve dhe presionit të Beogradit ndaj Malit të Zi është dëshira e Serbisë për të penguar rrugëtimin evropian të këtij vendi.

“Sipas mendimit tim, arsyet janë disa,” theksoi ministri. “Së pari, është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që ka udhëheqja serbe në vetë Serbinë. Së dyti, një përpjekje për të penguar Malin e Zi në rrugën e tij evropiane. Dhe së treti, një përpjekje për radikalizimin e serbëve në Mal të Zi. Mendoj se në asnjërën prej këtyre pikave, Beogradi zyrtar nuk po arrin të imponojë vullnetin e tij.”

Ministri malazez iu përgjigj gjithashtu pyetjes nëse Mali i Zi mund të mbrohet nga këto sulme dhe presione.

“Jam i bindur se mundet. Tani koha është aleati ynë,” deklaroi Gjeka për Portal ETV. “Nuk jam i sigurt nëse kjo vlen edhe për regjimin në Beograd.”