Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka sqaruar se Republika e Kosovës nuk ka marrë ftesë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës. Ky sqarim vjen pas raportimeve mediatike mbi mungesën e një ftese të tillë.

Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se, meqenëse Kosova nuk është pjesë e NATO-s dhe as e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP), ajo nuk merr pjesë në samite në cilësinë e shtetit anëtar.

Për më tepër, edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë bërë vetëm ftesat për aktivitete të veçanta, të organizuara në kuadër të samiteve. Si shembull përmendet aktiviteti “Gratë, Paqja dhe Siguria” (Women, Peace and Security) i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i zhvilluar gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar.

Ministria ka sqaruar se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste specifike. Për këtë arsye, Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një samit të tillë si shtet pjesëmarrës, duke qenë se nuk është ende anëtare e Aleancës.

Pavarësisht kësaj, Ministria ka rikonfirmuar angazhimin e plotë të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Kjo rrugë përfshin avancimin e reformave, përmbushjen e standardeve të nevojshme dhe forcimin e bashkëpunimit me Aleancën dhe shtetet anëtare të saj.