**Prishtinë, 25 maj 2024** – Dy zyrtarë policorë dyshohen se janë përfshirë në një sulm fizik ndaj njëri-tjetrit brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, si pasojë e një mosmarrëveshjeje. Incidenti dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë, ndërsa të dy oficerët janë tashmë nën hetim.

Detajet e rastit u konfirmuan nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të cilët i referoheshin një raportimi të Klankosova.tv.

Sipas IPK-së, dy zyrtarët janë të dyshuar për veprën penale “Sulm”.

Në një deklaratë të lëshuar nga Inspektorati, theksohet se “nga veprimet fillestare hetimore ekziston dyshimi se mbrëmë dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor Jugu, janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe se të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale ‘Sulm’”.

Inspektorati Policor ende nuk ka bërë të ditura rrethanat specifike që çuan në këtë mosmarrëveshje mes dy zyrtarëve, ndërsa theksohet se hetimet për rastin janë në vazhdim.

IPK gjithashtu nënvizoi se “secili veprim i zyrtarëve policorë që mund të cenojë integritetin policor ose mund të ndikojë negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës, do të trajtohet me seriozitet të plotë nga Inspektorati Policor i Kosovës”.