Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar rëndësinë e një kuadri ligjor për rregullimin e lobimit, me synimin për të rritur transparencën në proceset vendimmarrëse. Kjo çështje u diskutua në tryezën me temë “Momentumi i ri politik për rregullimin e lobimit legjislativ në Kosovë”, ku morën pjesë përfaqësues institucionesh, deputetë e ekspertë, të cilët shpalosën pikëpamjet e tyre mbi sfidat dhe mundësitë e kësaj fushe, raporton Ekonomia online.
Plator Avdiu nga KDI, duke prezantuar raportin e Institutit, theksoi domosdoshmërinë e përcaktimit të qartë të lobimit dhe rregullimit të tij me ligj. Ai shpjegoi se në Kosovë shpesh lobimi ngatërrohet me atë për njohjen e shtetit, ndërkohë që lobimi legjislativ, si aktivitet publik, përfshin ndikimin e grupeve të interesit në vendimet e institucioneve. Avdiu paralajmëroi se mungesa e rregullimit ligjor krijon hapësira për ndikime të pakontrolluara, duke e lënë Kosovën vendin e vetëm në rajon pa një ligj të tillë. Ai vuri në dukje edhe mungesën e vullnetit politik si pengesë dhe dështimin e Kuvendit për të zbatuar Planin e Veprimit për Kuvend të Hapur, i cili parashihte rregullimin e lobimit. Avdiu theksoi se lobimi, në thelb, është një formë legjitime e pjesëmarrjes politike, por mosrregullimi i tij mund të çojë në dëmtimin e interesit publik dhe krijimin e monopoleve.
Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e cilësoi lobimin si një formë legjitime të pjesëmarrjes, megjithëse pranoi se shpesh perceptohet si një aktivitet negativ që mund të deformojë procesin ligjbërës në dëm të interesit publik. Ai përmendi mekanizma ekzistues të pjesëmarrjes si avokimi, nismat qytetare, peticionet dhe dëgjimet publike. Rrustemi shprehu shqetësimin se rregullimi i lobimit duhet të fokusohet në kufizimin e tij, garantimin e transparencës maksimale dhe mbikëqyrjen e procesit, duke mos shtuar thjesht një mekanizëm tjetër ndikimi. Ai theksoi nevojën për kujdes, pasi mund të çojë në ligje “të porositura” dhe vullnete “të blera”. Për Rrustemin, një rregullim i suksesshëm duhet të adresojë lidhjen ndërmjet lobimit (si “trafikim i ndikimit”), pasurisë së pajustifikuar të zyrtarëve dhe mungesës së vullnetit politik.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, u pajtua se ndikimi në proceset vendimmarrëse tashmë është realitet dhe se rregullimi ligjor i lobimit do të rriste llogaridhënien dhe transparencën. Ajo vuri në dukje vështirësinë për të arritur një konsensus të gjerë politik për një ligj të tillë, duke marrë parasysh krizat e kaluara dhe mungesën e gjetjes së interesit publik. Deliu-Kodra theksoi se Kosova, si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nuk mund të mbetet i vetmi në rajon pa një ligj për lobimin, pavarësisht sfidave të zbatimit. Ajo përmendi rastin e Shqipërisë, e cila vetëm një vit më parë miratoi një ligj të tillë, si dëshmi se procesi nuk është i lehtë, por theksoi domosdoshmërinë për të çuar përpara një drejtim të ri të llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes.
