Klubi italian Como ka arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e përhershëm të mesfushorit argjentinas Nico Páz, raportoi eksperti i merkatos Fabrizio Romano.
Sipas Romanos, Como do ta blejë përfundimisht kartonin e 20-vjeçarit, pasi palët kanë finalizuar marrëveshjen dhe transferimi tashmë konsiderohet i mbyllur.
Një faktor i rëndësishëm në këtë marrëveshje ishte edhe dëshira e vetë Nico Páz, i cili kishte vendosur të vazhdonte karrierën te Como, ku ka gjetur hapësirën e nevojshme për t’u zhvilluar.
Megjithatë, Real Madridi nuk e ka humbur plotësisht kontrollin mbi talentin argjentinas. Klubi spanjoll ka ruajtur në kontratë klauzolën e riblerjes (buy-back clause), që i jep mundësinë ta rikthejë Páz në të ardhmen nëse vendos ta aktivizojë këtë opsion.
Ky është një tjetër veprim strategjik i Real Madridit, i cili vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimin e një prej talenteve më premtues argjentinas, ndërsa Como siguron shërbimet e tij në mënyrë të përhershme.
