Policia godet dy raste të kultivimit të kanabisit në Shkodër, asgjëson mbi 2000 bimë dhe arreston dy persona
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i Pastër”, Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të kultivimit të kanabisit, duke asgjësuar gjithsej 2098 bimë dhe fidanë. Si rezultat, dy persona janë arrestuar, ndërsa një kryeplak fshati është proceduar penalisht.
Rasti i parë u zbulua gjatë kontrolleve në fshatin Ndrejaj, brenda njësisë administrative Shosh, ku shërbimet policore identifikuan një parcelë me 768 bimë të dyshuara kanabis sativa. Në vendngjarje, u arrestua në flagrancë P.M., 53 vjeç, banues në Ndrejaj. Gjatë kontrollit pranë banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë të po këtij lloji.
Ndërkohë, në fshatin Vukël, pjesë e njësisë administrative Kelmend, u zbulua një tjetër parcelë me 1250 bimë të dyshuara kanabis sativa. Në afërsi të kësaj parcele, u arrestua në flagrancë A.Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Lidhur me këtë rast, Policia nisi gjithashtu procedim penal në gjendje të lirë ndaj K.B., 65 vjeç, kryeplak i fshatit Vukël.
Të gjitha bimët dhe fidanët e kanabisit u asgjësuan në vend, me anë të djegies. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia bën me dije se operacionet e kontrollit do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
