**Irani sulmon FIFA-n dhe Infantinon për problemet organizative në turne**
Kapiteni i Kombëtares së Iranit, Mehdi Taremi, ka sulmuar ashpër FIFA-n dhe presidentin e saj, Gianni Infantino, duke e cilësuar përvojën e ekipit në turneun aktual si “katastrofë” dhe duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e organizimit për Botërorin 2026.
Pas barazimit me Egjiptin, Taremi theksoi se vështirësitë jashtë fushe kanë ndikuar ndjeshëm te performanca e skuadrës. Ai akuzoi FIFA-n se nuk ka përmbushur premtimet e bëra nga Infantino për zgjidhjen e çështjeve të vizave dhe problemeve logjistike.
“Kjo është një përvojë katastrofike, një dështim i plotë. FIFA duhet t’i kishte zgjidhur këto probleme, por fatkeqësisht nuk e ka bërë që nga dita e parë,” deklaroi Taremi, duke shtuar se presidenti Infantino kishte premtuar ndryshime pas ndeshjes me Zelandën e Re.
Kapiteni iranian specifikoi se 11 anëtarë të stafit nuk kishin mundur t’i bashkoheshin ekipit për shkak të mungesës së vizave, ndërsa theksoi se skuadra ishte detyruar të bënte udhëtime të shpeshta dhe të gjata nga Tijuana, Meksikë, drejt vendit ku zhvilloheshin ndeshjet në Shtetet e Bashkuara.
“Na mungon stafi logjistik dhe ai i rikuperimit, pasi nuk kanë marrë vizë. Është e papranueshme të udhëtojmë vazhdimisht nga Tijuana. Ndonëse i vlerësojmë njerëzit atje, kjo sjellje nuk është normale për një garë profesionale. Nuk është e drejtë. Nëse qëllimi është të na eliminojnë, le të ndodhë, por kjo nuk është mënyra e duhur,” shtoi ai me tone të ashpra.
Qëndrimin e kapitenit e ndau edhe trajneri i ekipit, Amir Ghalenoei, i cili kritikoi ashpër organizatorët dhe kërkoi nga FIFA të garantojë një trajtim më të drejtë për kombëtaret në të ardhmen.
“E di që zoti Infantino është përpjekur t’i zbusë problemet, por vendi organizator nuk është sjellë siç duhet me ne. I bëj thirrje FIFA-s të mos lejojë që organizatorët t’i trajtojnë skuadrat në këtë mënyrë. Shpresoj që Infantino të reagojë ndaj kësaj sjelljeje,” theksoi Ghalenoei.
Trajneri shtoi se ekipit iranian nuk iu dha mundësia të mbërrinte më herët në SHBA për t’u përgatitur, dhe madje u detyrua të zhvendoste bazën stërvitore nga Arizona në Meksikë për shkak të tensioneve ushtarake midis dy vendeve.
“Na u pengua ardhja dy javë më herët dhe madje edhe dy ditë para çdo ndeshje. Kjo na ka dëmtuar ndjeshëm. Përveç kësaj, vendi ynë po përballet me një situatë lufte. Megjithatë, ne ia kemi dalë të paraqitemi mirë dhe bota është krenare për iranianët. Ky është suksesi ynë më i madh, pavarësisht pengesave të shumta,” përfundoi trajneri.
Pavarësisht këtyre polemikave, Irani ende ruan shpresa për t’u kualifikuar në fazën e 1/32-ve si një nga kombëtaret më të mira të vendeve të treta. Skuadra tani pret rezultatet e ndeshjeve të tjera për të mësuar fatin e saj në turne.
