**Nisin garat në Gjermani: Skuadrat shqiptare sfidohen për Kupën, fituesi përballet me kampionët e Zvicrës dhe Kosovës**

Sot dhe nesër, në Frankfurt, nis turneu i Kupës së Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani. Skuadrat shqiptare nga diaspora do të garojnë për trofeun e këtij edicioni prestigjioz.

Rëndësia e kësaj gare shtrihet përtej kufijve të Gjermanisë. Triumfuesi i Kupës do të përballet me fituesin e Kupës së Shqiptarëve në Zvicër. Më pas, skuadra fituese e këtij dueli do të sfidojë kampionin e Kupës së Kosovës, Dukagjinin e Klinës.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani, Afrim Osmani, vlerësoi lart organizimin e turneut, duke theksuar se kjo traditë sportive vazhdon, pavarësisht temperaturave të larta që mbretërojnë në Frankfurt.

“Edhe pse temperaturat janë shumë të larta, ne vazhdojmë ta ruajmë këtë traditë sportive që bashkon komunitetin shqiptar në Gjermani. Falënderoj të gjitha ekipet pjesëmarrëse për angazhimin e tyre, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Konsullatën e Kosovës në Frankfurt dhe atë në Mynih për mbështetjen dhe praninë e tyre,” u shpreh Osmani.

Ndërkohë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, Enver Muzliukaj, vlerësoi lart punën dhe organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani, duke theksuar se angazhimi i tyre meriton respekt.

“Organizimi që po bën Federata Shqiptare e Futbollit në Gjermani është për t’u vlerësuar. Puna e tyre dhe kushtet teknike, fusha e ambienti përreth krijojnë mundësi shumë të mira për zhvillimin e një turneu cilësor dhe dinjitoz,” theksoi Muzliukaj.

Turneu pritet të ofrojë ndeshje cilësore, rivalitet sportiv dhe një atmosferë festive, duke bashkuar shqiptarët nga mbarë Gjermania rreth pasionit të futbollit.

Para nisjes së turneut, kryetari Afrim Osmani nderoi Ruzhdi Statovcin me titullin “Kryetar Nderi” i Federatës Shqiptare të Futbollit në Gjermani. Kjo u bë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë 24 viteve në drejtimin e federatës.