**Bielsa shpreh zhgënjim të thellë pas eliminimit të Uruguait nga Botërori**

Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, nuk arriti dot të fshehë zhgënjimin e tij të thellë pas eliminimit të ekipit nga Kupa e Botës 2026, duke humbur durimin gjatë intervistës pas ndeshjes.

Uruguai u eliminua pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Ishte një turne zhgënjyes për ish-kampionët e botës, të cilët barazuan ndaj Arabisë Saudite dhe Kepit të Gjelbër, përpara se të mposhtej nga Spanja.

Eliminimi u bë edhe më i dhimbshëm për faktin se Kepi i Gjelbër, në debutimin e tij në Kupën e Botës, arriti të kualifikohej në vendin e dytë të grupit, pas tre barazimesh.

Pas ndeshjes, Bielsa u shfaq i emocionuar dhe dukshëm i nervozuar në intervistën për DAZN. Përpara se të niste intervista, kamerat kapën trajnerin argjentinas teksa i bërtiste gazetarit: “Bëjeni tashmë!”

Gjatë intervistës, ai dha përgjigje të shkurtra dhe të prera, duke treguar qartë dëshirën për t’u larguar sa më shpejt drejt dhomave të zhveshjes. Bielsa deklaroi se Fernando Muslera kishte kërkuar vetë zëvendësimin pas gabimit te goli i Spanjës, ndërsa mori mbi vete përgjegjësinë për eliminimin.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Bielsa u shfaq më i qetë dhe shpjegoi vendimet e tij.

“Muslera vendosi vetë të dilte nga loja, ndërsa Valverden e zëvendësova me Viñas sepse doja më shumë fuqi në sulm. Kjo varet si nga lojtari që hyn, ashtu edhe nga ai që del”, u shpreh ai.

Më pas, Bielsa bëri një vlerësim shumë të ashpër për periudhën e tij në krye të Uruguait, duke e cilësuar atë një dështim të plotë.

“Nuk po lë asnjë gjurmë pozitive për futbollin uruguaian. Çdo kontribut që një trajner mund t’i japë një vendi ku ka punuar për tre vjet është i pavlerë nëse nuk shoqërohet me rezultate. Vendi i katërt në kualifikueset e Botërorit nuk vlen asgjë, vendi i tretë në Copa América po ashtu nuk ka kuptim, ndërsa për këtë paraqitje s’ka nevojë për shpjegim. Koha ime këtu ka qenë një dështim i plotë”, deklaroi Bielsa.

Uruguai e mbylli Botërorin pa asnjë fitore, ndërsa eliminimi në fazën e grupeve pritet të ngrejë shumë pikëpyetje për të ardhmen e trajnerit në krye të kombëtares.