Rrufeja godet parkun e argëtimit në Suedi: Disa të plagosur, një grua në gjendje kritike

Disa persona janë plagosur pasi një rrufe goditi një pemë brenda një parku argëtimi në jug të Suedisë. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet dhe drejtuesit e parkut.

Sipas një njoftimi nga parku “Tosselilla Sommarland”, një stuhi e fortë përfshiu zonën gjatë së dielës, duke shkaktuar disa goditje rrufeje. “Sot patëm një stuhi të fortë mbi Tosselilla, e cila solli disa goditje rrufeje në zonë. Si pasojë, disa persona mbetën të plagosur,” theksohej në deklaratën e parkut.

Autoritetet fillimisht raportuan se nuk kishte lëndime të rënda. Megjithatë, më vonë u bë e ditur se një grua 45-vjeçare u transportua në spital në gjendje kritike.

Dy persona të tjerë u dërguan me ambulancë për trajtim mjekësor, ndërsa dy të rritur dhe pesë fëmijë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për lëndime të lehta.