Zbardhen detaje të reja rreth vrasjes në Dragash
Policia e Kosovës ka zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë, rreth orës 23:15, në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku një person ka humbur jetën pas një përleshjeje mes disa individëve.
Sipas zëdhënësit rajonal të Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, patrullat policore, pas marrjes së njoftimit, mbërritën menjëherë në vendngjarje. Aty gjetën një person të shtrirë, i cili kishte lëndime të dyshuara të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Viktima, G.T., mashkull, rreth 47 vjeç, banor i po të njëjtit fshat, u transportua për ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e tij.
“I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull, 40-vjeçar, gjithashtu nga Zlipotoku. Ai aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e djeshme, policia po ndërmerr veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij,” citohet Bytyqi.
Në vendngjarje kanë intervenuar njësitë relevante policore nga Stacioni i Policisë në Dragash dhe Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, nën koordinimin e të cilit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila është cilësuar si “vrasje e rëndë”.
