Deputetja Bajrami kritikon politikën energjetike të Qeverisë: Jemi të varur nga importi

Prishtinë – Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime dhe ka kritikuar ashpër politikën energjetike të qeverisë aktuale, duke vënë theksin te refuzimi i projekteve të rëndësishme dhe pasojat e tyre në varësinë e Kosovës nga importi i energjisë. Ajo shtroi dilemën: “Politikë energjetike apo politikë e varësisë nga importi?”

Bajrami theksoi se Kryeministri në largim, Albin Kurti, refuzoi projektin amerikan të gazit, i mbështetur me mbi 200 milionë dollarë nga MCC, me arsyetimin se qeveria preferonte bateritë. Ajo kujtoi se më herët ishte braktisur edhe projekti për ndërtimin e termocentralit “ContourGlobal”.

Si rezultat i këtyre vendimeve, sipas Bajramit, Kosova sot nuk ka as termocentral të ri, as gaz amerikan, dhe bateritë ende nuk janë instaluar, duke lënë vendin pa kapacitete të reja gjeneruese. Përkundrazi, ajo pohoi se gjatë gjashtë viteve të fundit, Kosova ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike.

Deputetja e LDK-së shpjegoi se “kur refuzon projektet e gjenerimit, mbetesh i varur nga importi. Kaq e thjeshtë është.” Ajo theksoi se mbështetja te energjia e prodhuar nga të tjerët është e pamjaftueshme dhe Kosova duhet të ndërtojë kapacitete vetjake për të ulur varësinë nga importi dhe tregtarët e energjisë. Sipas saj, çdo megavat i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë, ul varësinë dhe ekspozimin ndaj çmimeve të bursave ndërkombëtare, si dhe ofron më shumë mundësi për ekonominë vendase. Refuzimi i gazit të lëngshëm amerikan (LNG), sipas Bajramit, nuk është vetëm refuzim i një projekti, por edhe i një mundësie për ta bërë Kosovën pjesë të rrjeteve rajonale të energjisë dhe për të ndërtuar një sistem më të sigurt e më fleksibil.

Bajrami ngriti pyetje lidhur me planet e qeverisë për gazifikimin e linjitit dhe marrjen e energjisë nga Vlora, duke kërkuar publikimin e analizave dhe marrëveshjeve me Shqipërinë, nëse ato ekzistojnë. Ndër pyetjet e saj ishin:
* Sa kushton infrastruktura e LNG-së?
* Sa kushton gazifikimi i linjitit?
* Cili opsion është më i leverdishëm për Kosovën?
* Çfarë marrëveshje keni me Shqipërinë?
* Sa do të jetë kapaciteti i centralit me gaz në Vlorë?
* A e dini sa energji importon Shqipëria sot?
* Si llogarisni që do të ketë energji tepricë për t’i dhënë Kosovës?
* Me çfarë çmimi do ta blejë Kosova energjinë nga Vlora – me çmim të kostos së prodhimit apo me çmim të bursave ndërkombëtare?

Ajo theksoi se vendimet për energjinë nuk mund të merren me deklarata politike, pa analiza dhe transparencë.

Në fund, Bajrami paralajmëroi se “çdo refuzim ka një faturë: Kur nuk prodhon, importon – kur importon, paguan më shtrenjtë – kur paguan më shtrenjtë, rëndon qytetarët dhe bizneset,” ndërsa rriten fitimet e tregtarëve të energjisë. Ajo përfundoi duke kërkuar politika që prodhojnë energji, siguri dhe zhvillim, jo varësi nga importi.