Adis Nurkovic: Edin Dzeko është legjendë, Bosnja mund ta mposhtë SHBA-në në Botëror
Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, Adis Nurkovic, aktualisht 40 vjeç dhe trajner në Akademinë e Çelik Zenicës, ka folur për Indeksonline.net rreth paraqitjes së Bosnjës në Botërorin që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Nurkovic ka analizuar rrugëtimin e ekipit boshnjak deri në fazën eliminatore, si dhe takimin e radhës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai e vlerësoi lart paraqitjen e skuadrës deri tani, duke theksuar disiplinën dhe unitetin si elemente thelbësore të suksesit. “Skuadra ka bërë një punë shumë të mirë deri tani. Ka treguar disiplinë, kohezion dhe shpirt luftarak në çdo ndeshje. Kualifikimi në fazën eliminatore është një arritje e madhe dhe e merituar,” u shpreh Nurkovic.
Duke folur për portierin e Bosnjës, Nikola Vasilj, ai e cilësoi atë si një prej faktorëve kryesorë të suksesit të ekipit. “Një ekip i suksesshëm ka gjithmonë nevojë për një portier të besueshëm. Ai ka qenë ndër më të qëndrueshmit, duke bërë pritje vendimtare dhe duke i dhënë siguri mbrojtjes,” shtoi ish-portieri.
Lidhur me ndeshjen ndaj SHBA-së, Nurkovic theksoi se sfida do të vendoset nga detajet e vogla. “Ndeshjet me eliminim direkt vendosen nga detajet. Përqendrimi dhe shfrytëzimi i rasteve janë vendimtare. SHBA ka një skuadër shumë të fortë, por Bosnja ka treguar se mund të përballet me çdo kundërshtar.” Ai shtoi se Bosnja duhet të ruajë besimin dhe organizimin taktik për të pasur mundësi reale kualifikimi.
Në lidhje me lojtarin kyç, Nurkovic nuk veçoi një emër të vetëm, duke theksuar lojën kolektive si forcën kryesore të ekipit. Megjithatë, duke folur për Edin Dzekon, ai e cilësoi atë si një legjendë të futbollit boshnjak. “Edin Dzeko është një legjendë. Edhe nëse nuk luan nga fillimi, ai gjithmonë mund të bëjë diferencën. Përvoja e tij është shumë e rëndësishme për skuadrën.”
Nurkovic vlerësoi gjithashtu edhe tifozët boshnjakë në SHBA, duke i quajtur ata një shtysë të madhe për ekipin. “Mbështetja e tifozëve është fantastike. Ata i japin ekipit energji shtesë, sidomos në momentet e vështira.”
Në fund, ai parashikoi një ndeshje mjaft të barabartë ndaj SHBA-së. “Nuk shoh favorit të qartë. Nëse Bosnja luan me të njëjtën disiplinë dhe besim, ka çdo mundësi për të avancuar,” përfundoi Nurkovic.
Adis Nurkovic ka qenë portier i Kombëtares së Kosovës dhe Bosnjës.
/Indeksonline/Granit Tërstena/
