**Haxhiu i kërkon BE-së përgjigje të qartë politike për statusin kandidat të Kosovës**
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë.
Sipas një komunikate për media nga Zyra e Presidentes, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e vendit. Ajo theksoi se Kosova e ka shndërruar këtë mbështetje në ndërtimin e institucioneve demokratike, në reforma të thella dhe në një orientim të qartë evropian, i cili gëzon mbështetje të lartë qytetare.
Haxhiu kërkoi që progresi i Kosovës të marrë një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian, duke avancuar drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Presidentja në detyrë theksoi se Kosova ka mbajtur një kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal. Në këtë kontekst, Haxhiu theksoi se Kosova duhet të trajtohet me mundësi të barabarta për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët.
