Biletat për ndeshjen Kosovë-Shqipëri dalin në shitje

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar nisjen e shitjes online të biletave për ndeshjen midis Kosovës dhe Shqipërisë, e cila është e vlefshme për fazën parakualifikuese të FIBA EuroBasket 2029.

Kjo përballje e shumëpritur do të zhvillohet më 2 korrik, në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, duke nisur nga ora 19:00.

Për herë të parë, FBK ka vendosur që shitja e biletave për ndeshjet e Kosovës të bëhet online përmes platformës “KickTick”, me qëllim lehtësimin dhe shpejtimin e procesit për tifozët.

Biletat janë tashmë në dispozicion në këtë platformë, me çmimin prej 4 euro.

Federata e Basketbollit e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë adhuruesve të basketbollit të marrin pjesë në këtë sfidë të veçantë dhe të mbështesin Kosovën në rrugën drejt kualifikimit për FIBA EuroBasket 2029.