Stërvitje e përbashkët “Shpata e Artë 2026”: KFOR, EULEX, Policia dhe FSK testojnë menaxhimin e krizave

KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët dy-ditore në Kampin Vrelo, më 2 dhe 3 korrik. Kjo stërvitje, e quajtur “Shpata e Artë 2026”, përfshin edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas një njoftimi të misionit të NATO-s në Kosovë, pjesëmarrja e FSK-së është në përputhje me mandatin e saj fillestar të mbrojtjes civile.

Ushtrimi “Shpata e Artë 2026” do të përfshijë vendosjen e një numri të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe pajisjesh në zonën e stërvitjes, si dhe përgjatë rrugëve kryesore aty pranë. Qëllimi kryesor është testimi i aftësive të menaxhimit të krizave dhe procedurave në një sërë skenarësh kompleksë sigurie. Këtu përfshihet trajtimi dhe asgjësimi i sigurt i pajisjeve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti. “Ky ushtrim i përbashkët simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të nxitur bashkëpunimin dhe koordinimin e ndërsjellë, për të mirën e të gjithë banorëve të Kosovës,” citohet të ketë thënë Ulutash.