Policia e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë muajit qershor, duke u fokusuar kryesisht te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve. Si rezultat i këtyre aksioneve, janë shqiptuar gjithsej 106 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit rrugor.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 74 motoçikleta dhe skutera, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të nevojshëm. Ky aktivitet u realizua në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.

Ndër kundërvajtjet kryesore të evidentuara janë: 52 gjoba për drejtim motoçiklete pa patentë shoferi, 46 gjoba për drejtim motoçiklete pa regjistrim dhe 3 gjoba për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse. Janë vendosur gjithashtu 5 gjoba me masa të tjera ndëshkuese.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj thekson se “drejtimi i papërshtatshëm i motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.”

Policia bën thirrje për “respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, përshtatjen e drejtimit me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosjen e helmetës mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën.”

Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.