Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësim të thellë për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, duke kritikuar njëkohësisht sjelljen shpërfillëse të Dhomave të Specializuara. Kjo gjykatë, sipas Qelajt, injoroi ftesën për të marrë pjesë në prezantimin e një raporti britanik që ngre shqetësime serioze lidhur me procesin gjyqësor.
Pas njoftimit nga Dhomat e Specializuara se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet më 16 shtator, ora 10:00, Qelaj thekson se shtyrja e vendimit nuk përbën problem në vetvete. Megjithatë, ai ngre shqetësime serioze lidhur me arsyetimin e gjykatës dhe vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarve.
Në një deklaratë për Kosova Press, Avokati i Popullit ka shpjeguar se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit ishte e pritshme, duke marrë parasysh rrethanat e zhvillimit të procesit gjyqësor. Ai përsërit se shqetësim kryesor mbetet arsyetimi i gjykatës për volumin e provave dhe dokumenteve, si dhe vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë.
“Në rrethanat në të cilat është zhvilluar vetë procesi gjyqësor, shtyrja e vendimit ka qenë e pritshme për mua. Tashmë duket se është përfundimtare, pasi është caktuar data dhe ora. Shtyrja e shpalljes së vendimit nuk përbën problem, por shqetësim mbeten arsyet e dhëna nga gjykata për sasinë e madhe të provave dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen deri në vendimmarrje. Besoj se procesi i shqyrtimit dhe analizimit të provave ka përfunduar gjatë procedurës së shqyrtimit. Aspekti i dytë i shqetësimit lidhet me vazhdimin e paraburgimit në këtë fazë, pasi shumica e arsyeve për të cilat është caktuar paraburgimi nuk ekzistojnë më. Mundësia e ndërhyrjes te dëshmitarët nuk ekziston, sepse dëshmitarët tashmë e kanë përfunduar procesin e dëshmimit. Ndikimi në prova nuk mund të ndodhë, pasi provat janë tashmë në gjykatë. Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e paraburgimit, natyrisht, kjo është një prej shqetësimeve kryesore që kam si Avokat i Popullit,” thekson Qelaj.
Qelaj ka theksuar se shqetësimet e tij lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara datojnë që në vitin 2021, pas vizitës së tij të parë në këtë institucion. Ai ka pasur një takim në maj me kryetaren e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës së saj në Kosovë, ku i ka paraqitur shqetësimet e tij publike, por nuk ka marrë përgjigje. Kjo e shtyu atë të bëjë një vizitë të dytë në Hagë, ku takoi përfaqësues të gjykatës, mbrojtës të viktimave, mbrojtjen e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit. “Nga kjo vizitë, shqetësimet e mia u thelluan më tej,” thotë Qelaj. Si pasojë, ai i dërgoi një letër kryetares së Gjykatës, duke shpjeguar diskutimet dhe shqetësime të tjera, për të cilat sërish nuk mori përgjigje.
Për shkak të mungesës së përgjigjes, Qelaj u detyrua të angazhojë një organizatë ndërkombëtare të pavarur për të drejtat e njeriut me seli në Londër – Komitetin për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit. Kjo organizatë prestigjioze hartoi një raport bazuar në kërkesën e tij, i cili jo vetëm legjitimoi shqetësimet e ngritura nga Qelaj, por shtroi edhe çështje të tjera. Raporti iu është dërguar gjykatës dhe vendeve anëtare që mbështesin dhe financojnë këtë gjykatë. Qelaj thekson se, sipas raportit, gjykata nuk i ka dhënë informacionin e kërkuar.
Muajin e kaluar, Avokati i Popullit organizoi një takim në Hagë me misionet diplomatike të vendeve të akredituara në Holandë, ku u prezantuan gjetjet e raportit. Qelaj tha se gjykata ishte ftuar në këtë takim, por nuk mori pjesë dhe nuk dha asnjë përgjigje, duke shfaqur, sipas tij, një tendencë shpërfillëse ndaj kërkesave.
“Raporti, hartuar nga ekspertë anglezë, përmban dy rekomandime thelbësore për autoritetet e Republikës së Kosovës,” thekson Qelaj. “Më i rëndësishmi është që Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për të krijuar mekanizma monitorimi të kësaj gjykate. Kjo do të sigurojë një analizë të detajuar të gjithë procesit, me qëllim që të mos cenohen të drejtat e njeriut në asnjë rrethanë.”
Kujtojmë se Trupi Gjykues kishte vendosur më parë afatin deri më 19 maj për shpalljen e vendimit. Më pas, duke iu referuar kompleksitetit të rastit, afati u shty deri më 20 korrik 2026 (si afat maksimal i mundshëm), ndërsa tani është caktuar data 16 shtator për shpalljen e aktgjykimit. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime si vrasje, torturë dhe persekutim, të pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-1999, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të katërtit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Aktakuza përfshin rreth 155 viktima. Prokurorët kanë kërkuar dënimin e secilit me nga 45 vjet burgim. Në këtë proces kanë dëshmuar mbi 130 dëshmitarë, ndërsa janë pranuar me shkrim 160 deklarata të tjera. Gjyqi ndaj tyre ka përfunduar në shkurt, dhe të akuzuarit mbahen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.
