Ushtarët italianë dhe bullgarë të KFOR-it zhvillojnë stërvitje me qitje në Pejë

Ushtarët italianë dhe bullgarë të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një stërvitje me qitje me municion luftarak në poligonin Voloire, pranë Kampit Villaggio Italia në Pejë.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga KFOR-i, kjo stërvitje bashkoi personel nga kombësi të ndryshme me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë midis njësive pjesëmarrëse.

KFOR thekson se aktivitete të tilla janë thelbësore për ruajtjen e një gatishmërie të lartë operacionale dhe vetëdijes situacionale të personelit të tij.

“Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, personeli i KFOR-it mban një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe vetëdijes situacionale, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Misioni i KFOR-it riafirmon angazhimin e tij për zbatimin e mandatit të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, duke garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke vepruar si reagues të parë të sigurisë në rolet e tyre përkatëse.