Rashiq: Serbia ushtroi presion masiv ndaj serbëve të Kosovës për votën e Listës Serbe, kërkohet hetim për manipulimet
**Prishtinë** – Nenad Rashiq, ministri ushtrues detyre për Komunitete dhe Kthim, ka akuzuar ashpër Serbinë dhe Listën Serbe për ushtrim presioni psikologjik, fizik dhe institucional ndaj serbëve të Kosovës gjatë zgjedhjeve, me qëllim që ata të votonin për Listën Serbe. Rashiq theksoi nevojën për një hetim të thelluar të këtyre manipulimeve zgjedhore.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rashiq detajoi format e presionit, duke përfshirë largime nga puna, kërcënime, marrje në pyetje nga shërbimet serbe të sigurisë (BIA), ndalimin e qytetarëve në bodrume për orë të tëra, si dhe detyrimin për të dëshmuar mënyrën e votimit.
Lidhur me akuzat e Listës Serbe se ai e fitoi mandatin e rezervuar serb përmes “ndërhyrjes politike”, Rashiq theksoi se pretendime të tilla përsëriten pas çdo procesi zgjedhor. Sipas tij, Lista Serbe vazhdimisht përpiqet të vërë në dyshim suksesin e kundërshtarëve politikë. Ai e cilësoi Listën Serbe si “një degë” të Partisë Progresive Serbe (SNS) të presidentit Vuçiq, e cila, sipas tij, ushtron një “presion brutal” ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.
“Viktimat kryesore të këtij presioni janë vetë qytetarët serbë të Kosovës,” tha Rashiq. Ai paralajmëroi se shumë qytetarë serbë janë ndaluar dhe marrë në pyetje nga organet e BIA-s në Serbi, si në Merdarë, Vrajë, Rashkë apo Nish, gjatë periudhës parazgjedhore. Qëllimi i këtyre veprimeve, sipas ministrit, është dobësimi i institucioneve të Kosovës dhe përdorimi i serbëve të Kosovës si “instrument shantazhi dhe presioni politik.”
Rashiq solli shembullin e mbi 20 personave të larguar nga puna nga sistemi serb, me arsyetimin e qartë “për përkatësi politike,” si pëlqimi i postimeve të tij në rrjetet sociale. Po ashtu, përfitues të asistencës sociale nga buxheti i Serbisë janë thirrur rregullisht në zyra në Serbi, ku u është ushtruar “keqtrajtim psikologjik” me qëllim minimizimin e numrit të votave për kundërshtarët e Listës Serbe. Ai shtoi se janë përdorur të gjithë mekanizmat në dispozicion të Beogradit zyrtar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, duke përfshirë “cenimin e votës.” Megjithatë, Rashiq theksoi se pavarësisht këtyre presioneve, ai ka shënuar rritje të mbështetjes prej mbi 15% për të tretën herë radhazi.
Fuqizimin e Listës Serbe, Rashiq e lidh me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila, sipas tij, mundësoi krijimin e një monopoli politik brenda komunitetit serb në Kosovë. “Mënyra e votimit tek komuniteti serb në Kosovë është sikur në Korenë e Veriut,” tha Rashiq, duke theksuar se shumica e komunitetit shqiptar nuk e kupton thellësinë e brutalitetit të “kësaj diktature në Beograd” ndaj serbëve të Kosovës. Ai garantoi se votat e tij janë “votat të lira,” ndërsa ato të Listës Serbe janë fituar përmes “shantazheve, presioneve dhe kërcënimeve.”
Si shembull ekstrem, Rashiq përmendi rastin e anëtarëve të komunitetit rom nga një rajon të caktuar, të cilët, si përfitues socialë, janë ndaluar fizikisht dhe mbajtur për pesë orë në bodrume, me akuzën se kishin votuar për Rashiqin. Kjo metodë, të cilën ai e cilësoi si “kidnapim,” shoqërohej me kërcënime dhe detyrim për të sjellë foto si dëshmi të votës për Listën Serbe. Po ashtu, u kërkohej të shënonin fletëvotimet me shenja të ndryshme (p.sh., buzëqeshje, zemra, pika) për të dëshmuar zgjedhjen e tyre, për të cilën Rashiq tha se është iniciuar një hetim.
