**Kosova dhe Rruga drejt BE-së: E bllokuar, me dyshime për të ardhmen**

Tre vjet e gjysëm pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova ende pret që kërkesa e saj të tejkalojë fazën e parë procedurale. Ndërkohë që zgjerimi është kthyer në fokus të agjendës së BE-së, perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e ngujuar. A ka ende rrugë për të zhbllokuar këtë proces, apo, siç shprehet Radio Evropa e Lirë, “Treni ka ikur”?

Më 1 korrik, Irlanda mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke e renditur zgjerimin si një prej prioriteteve kryesore për gjashtë muajt e ardhshëm. Megjithatë, programi i saj nuk përmban asnjë përmendje specifike për Kosovën. Kjo mungesë, a është thjesht simbolike apo treguese e pozicionit aktual të Kosovës në agjendën e zgjerimit të BE-së?

Në përgjigje të Radio Evropa e Lirë, Presidenca irlandeze sqaroi se mbështet përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe atyre potenciale, përfshirë Kosovën, drejt anëtarësimit në BE. Por, këtë mbështetje e shoqëroi me një formulim të njohur shpesh në Bruksel: përparimi do të varet nga plotësimi i kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme. Pas këtij qëndrimi diplomatik qëndron një realitet shumë më kompleks për Kosovën.

**Një proces i bllokuar që në hapin e parë**

Redaktori i Radio Evropa e Lirë për çështjet evropiane, Rikard Jozwiak, thotë se Kosova, aktualisht, nuk është ndër prioritetet e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kur Irlanda flet për zgjerimin, sipas tij, fokusi është te vendet që tashmë kanë avancuar më shumë në procesin e anëtarësimit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, por edhe tek Ukraina dhe Moldavia, të cilat, pas agresionit rus në Ukrainë, kanë fituar rëndësi të re strategjike për BE-në.

“Kosova ka mbetur e ngecur në procesin e zgjerimit që prej dorëzimit të kërkesës së saj për anëtarësim në fund të vitit 2022, dhe nuk pres ndonjë zhvillim as në gjashtë muajt e ardhshëm,” thekson Jozwiak.

Sipas procedurave të BE-së, është presidenca e Këshillit të BE-së ajo që vendos nëse një aplikim futet në shqyrtim. Kosova e dorëzoi kërkesën e saj më 15 dhjetor 2022, në ditët e fundit të Presidencës çeke. Por, asnjë nga presidencat që pasuan nuk e shtyu përpara. Si rezultat, aplikimi ende nuk ka kaluar as fazën e parë formale: shqyrtimin nga Këshilli dhe dërgimin në Komisionin Evropian për vlerësim.

Jozwiak thotë se pengesat nuk lidhen me presidencën aktuale, por me mungesën e konsensusit politik brenda vetë Bashkimit Evropian. “Presidenca e fundit që provoi të testonte gatishmërinë e Këshillit për t’ia përcjellë aplikimin e Kosovës Komisionit Evropian, ishte Suedia, në vitin 2023. Që atëherë, askush nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë,” shton Jozwiak. Ai thekson se nuk ka asnjë shenjë se pesë shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – kanë ndryshuar qëndrimin e tyre. Për këtë arsye, sipas tij, Irlanda mund të arrijë shpejt në përfundimin se nuk ekziston mbështetja e nevojshme politike për ta çuar përpara aplikimin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, të mos e hapë fare këtë çështje në Këshillin e BE-së.

Radio Evropa e Lirë kërkoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për pritshmëritë nga Presidenca irlandeze dhe hapat për avancimin e procesit të integrimit evropian, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij materiali.

Këtë javë, në Prishtinë u mbajt takimi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku BE-ja kërkoi përshpejtimin e reformave, veçanërisht në administratën publike, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë ato të komuniteteve pakicë. Qeveria e Kosovës, nga ana e saj, riafirmoi përkushtimin për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).

**Përtej reformave të Kosovës**

Ngecja e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, sipas ekspertit të politikës së zgjerimit në Iniciativën Evropiane për Stabilitet (ESI), Adnan Qerimagiq, nuk mund t’i vishet vetëm mungesës së reformave apo zhvillimeve politike në vend. Sipas tij, përgjegjësi mban edhe vetë Bashkimi Evropian, i cili ende nuk ka ndërmarrë as hapin e parë procedural për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Qerimagiq argumenton se BE-ja ka dëshmuar edhe më herët se mund të gjejë zgjidhje ligjore për të avancuar marrëdhënien me Kosovën, pavarësisht faktit se pesë shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e saj. Si shembull ai përmend Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për të cilën u gjet një formulë ligjore që mundësoi hyrjen e saj në fuqi. “Një qasje e ngjashme mund të aplikohet edhe për ta çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim,” thotë Qerimagiq për Radion Evropa e Lirë.

Pengesa nuk është vetëm procedurale, sipas profesorit në Universitetin e Gracit, Florian Bieber. Ai thotë se Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar përparimin e Kosovës në procesin e integrimit me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – një proces që, sipas tij, prej kohësh ka humbur vrullin.

“Në këtë pikë, dialogu lidhet vetëm me menaxhimin e stabilitetit, jo me ndonjë zgjidhje. Për rrjedhojë, vështirë se mund të ketë përparim në perspektivën evropiane të Kosovës, derisa Bashkimi Evropian ose të heqë dorë nga kushtëzimi i saj me dialogun, ose derisa vetë dialogu të marrë një kthesë më serioze,” thotë Bieber për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, kjo do të thotë se edhe një presidencë e Këshillit të BE-së që e ka zgjerimin ndër prioritetet, ka pak hapësirë për të ndryshuar dinamikën në raport me Kosovën.

Në skenarin më të mirë, thotë ai, Presidenca irlandeze mund të nxisë një diskutim mbi mënyrën e strukturimit të procesit të zgjerimit për Kosovën dhe nëse perspektiva e saj evropiane duhet të vazhdojë të kushtëzohet nga dialogu me Serbinë. Por, edhe për këtë ai sheh pak shanse. Bieber vlerëson se mungesa e institucioneve të qëndrueshme në Kosovë, por edhe marrëdhëniet e tensionuara që Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka krijuar me disa shtete kyçe të Bashkimit Evropian, kanë ulur vullnetin politik në Bruksel për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës. “Kështu që, nuk shoh shumë gatishmëri nga ana e BE-së për të ndryshuar dinamikën dhe nuk mendoj se Irlanda është në gjendje të bëjë shumë në këtë drejtim,” shton Bieber.

Një klimë e tillë politike përkon me një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie institucionale në Kosovë. Për më shumë se një vit e gjysëm, vendi është përballur me bllokadë politike, pasi tri procese zgjedhore, të mbajtura brenda 16 muajve, nuk kanë sjellë një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Aktualisht, Kosova pret formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, është shfaqur sërish si forca e parë politike.

**Çfarë mund të bëjë Kosova?**

Jozwiak thotë se hapësira për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, në fazën aktuale të zgjerimit, është e kufizuar. “Mendoj se treni për këtë ka ikur,” thotë ai. Por, thekson një çështje që, sipas tij, vazhdon të ketë rëndësi të madhe në institucionet evropiane: përparimin drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Ky ka qenë gjithmonë një kusht kyç i BE-së dhe mbetet i tillë edhe tani, edhe pse vrulli, sigurisht, nuk është më aty kur bëhet fjalë për dialogun,” thotë Jozwiak.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai është parashikuar si një mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndër vite, BE-ja ka këmbëngulur se formimi i tij është një prej detyrimeve kryesore të Kosovës në kuadër të dialogut, por procesi ka mbetur i bllokuar, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kompetencave të Asociacionit dhe shqetësimeve se ai mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Për më tepër, edhe vetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në një periudhë stanjacioni. Takimi i fundit në nivel të lartë u mbajt në shtator 2023, pak para sulmit të armatosur në Banjskë. Që prej atëherë, përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta rikthyer procesin në binarë nuk kanë sjellë ndonjë përparim të rëndësishëm.

**Ku qëndron Kosova në raport me rajonin?**

Ndërsa procesi i integrimit të Kosovës ka mbetur praktikisht i ngrirë, pjesa më e madhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar, në shkallë të ndryshme, përparim në rrugën drejt BE-së.

Mali i Zi mbetet kandidati më i avancuar, me të gjitha kapitujt e negociatave të hapur dhe shumicën prej tyre tashmë të mbyllur përkohësisht. “Vendi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian tani po merr formë,” ka thënë komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, gjatë një vizite në Podgoricë në muajin maj. Nëse anëtarësimi i tij bëhet realitet në vitin 2028, siç synohet, ai do të shënonte zgjerimin e parë të Bashkimit Evropian pas 15 vjetësh, që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013.

Shqipëria po zhvillon negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut, megjithëse i ka nisur zyrtarisht ato, përballet me bllokada politike, sidomos nga Bullgaria, për hapjen e kapitujve të parë. Bosnje dhe Hercegovina mori dritën e gjelbër për hapjen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2024, ndërsa Serbia, ndonëse negocion me BE-në që prej vitit 2014, ka vite që nuk ka hapur kapituj të rinj, për shkak të mungesës së reformave dhe mos-përafrimit me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht ndaj Rusisë.

Në kontrast me këto, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.