**Certifikohen Rezultatet e Zgjedhjeve, Hapet Rruga për Formimin e Institucioneve**

Sot në orën 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë një mbledhje, në rend dite të së cilës është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Rrugën për certifikimin e rezultateve e hapi Gjykata Supreme, e cila dje refuzoi si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Këto ankesa lidheshin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) deklaroi të hënën se ka siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. Më pas, ajo do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Moszgjedhja e Presidentit ishte edhe arsyeja pse vendi zhvilloi zgjedhjet e treta brenda rreth një viti e gjysmë, në fillim të qershorit.

“Lidhur me Qeverinë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pa humbur kohë, duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së Presidentit/es”, theksoi për Radion Evropa e Lirë Arbërie Nagavci, ish-shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Rreth dy javë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, e përmendi gjithashtu zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar nevojën për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

“Sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit,” theksoi ai.

Duke qenë se moszgjedhja e Presidentit ishte arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, sugjeron që puna pas konstituimit të Kuvendit duhet të nisë pikërisht me këtë çështje.

“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi i Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë përveç propozimeve për Presidentin e Republikës,” tha ai për Gazetën Express më 16 qershor.

Ai shton se Albulena Haxhiu, si ushtruese e detyrës së Presidentit, nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër.

Në aktgjykimin e fundit, kur Gjykata Kushtetuese vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekstin e zgjedhjes së shefit të shtetit kur Kuvendi nuk është i konstituuar dhe funksional.

Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thekson se, sapo të konstituohet Kuvendi, procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata, bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara në nënpikën 3 të paragrafit 1 të nenit 82, të ndërlidhura me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit,” thuhet në aktgjykim.