Zjarrfikësit kanë luftuar gjatë gjithë natës me zjarrin më të madh të regjistruar ndonjëherë në Belgjikë, i cili deri të dielën në mëngjes kishte përfshirë rreth 3 mijë hektarë tokë.

Zjarri ka përfshirë rezervatin natyror High Fens, në lindje të vendit, dhe ka nisur që të premten.

Në operacion janë angazhuar zjarrfikës nga Belgjika, Gjermania dhe Luksemburgu, si dhe ushtria dhe fermerët, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Autoritetet janë përqendruar në frontin e zjarrit që po lëviz drejt kufirit me Gjermaninë, ndërsa shpresojnë që moti më i freskët dhe më i lagësht të ndihmojë në frenimin e flakëve.

Sipas të dhënave evropiane, zjarri është më shumë se dyfishi i atij të vitit 2011, kur u dogjën rreth 1 mijë e 400 hektarë.

Autoritetet gjermane thonë se zjarri nuk pritet të përhapet në territorin e Gjermanisë, por paralajmërojnë për ndotje të konsiderueshme nga tymi.