Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Irlandë, ku është pritur nga homologu i tij, Kryeministri Micheál Martin, në prag të takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Gjatë takimit, Kurti falënderoi popullin irlandez për strehimin e mbi një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999, të cilët u dëbuan nga atdheu i tyre për shkak të gjenocidit të kryer nga forcat e armatosura serbe të Millosheviçit dhe ish-Jugosllavisë.

Kryeministri theksoi se Irlanda është një shembull i shkëlqyer i suksesit në integrimin dhe anëtarësimin evropian, model që Kosova aspiron ta ndjekë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai shtoi se Kosova llogarit në mbështetjen e presidencës irlandeze për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kurti shprehu gjithashtu mirënjohjen për ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në KFOR për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke kontribuar në paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës. Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata thelbësore për demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë e përgjithshme.

Në lidhje me Takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri Kurti vuri në dukje rëndësinë e takimit të liderëve për të diskutuar dhe harmonizuar qëndrimet e tyre, sidomos në kohën kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe sfidat e sigurisë globale po thellohen. Ai vlerësoi se EPC ndihmon në bashkimin e forcave dhe qasjeve të liderëve përballë këtyre sfidave.