I dyshuari adoleshent arrestohet pas sulmit në shkollën gjermane, dy vajza 13-vjeçare plagosen rëndë

Dy vajza të moshës 13-vjeçare janë plagosur rëndë në një sulm që ndodhi në një shkollë në qytetin Schongau të Bavarisë së Epërme, Gjermani. Një i dyshuar adoleshent, 16 vjeç, është arrestuar në lidhje me ngjarjen.

Sipas raportimeve të BBC-së, policia ka njoftuar se një operacion i gjerë sigurie po zhvillohej rreth shkollës së mesme “Welfen-Gymnasium” në zonën e ngjarjes.

I dyshuari besohet se posedonte një thikë dhe një armë zjarri, dhe autoritetet besojnë se ka vepruar i vetëm.

Gjendja e vajzave të plagosura nuk është kërcënuese për jetën, megjithatë, policia po punon për të sqaruar numrin e personave të tjerë të përfshirë dhe shkallën e saktë të lëndimeve.

Më herët, një zëdhënëse e policisë i kishte thënë agjencisë së lajmeve AFP se nuk ishte ende e qartë se çfarë lloj arme ishte përdorur në sulm dhe se ajo refuzonte të konfirmonte raportet për një sulm me thikë.

Identiteti i të dyshuarit nuk është bërë publik dhe nuk dihet nëse ai kishte ndonjë lidhje me shkollën. Policia e ka cilësuar incidentin si “sulm”.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, i tha transmetuesit publik gjerman Bayerischer Rundfunk (BR) se besonte që dy vajzat ishin goditur me thikë. Kjo deklaratë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.