**Loredana, faktori kyç në transferimin e mundshëm të Adeyemit te Barcelona**

Sulmuesi anësor i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, raportohet se ka informuar klubin gjerman për dëshirën e tij për t’u larguar këtë verë. Barcelona mbetet destinacioni i tij i preferuar.

Një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në vendimin e 24-vjeçarit, sipas raportimeve të Indeksonline, është partnerja e tij, reperja dhe influencuesja shqiptare Loredana Zefi. Mediat bëjnë me dije se ajo preferon të jetojë në një qytet më të madh dhe më dinamik evropian, me Barcelonën që konsiderohet zgjedhja ideale për çiftin.

Për të lehtësuar transferimin e tij, Adeyemi ka ndryshuar agjentin, duke kaluar nën menaxhimin e Jorge Mendes. Kjo lëvizje konsiderohet si një sinjal i qartë i vendosmërisë së tij për t’u bashkuar me gjigantin katalanas.

Raporte të tjera bëjnë të ditur se Barcelona tashmë ka paraqitur një ofertë zyrtare për reprezentuesin gjerman. Trajneri Hansi Flick e konsideron Adeyemin si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e repartit sulmues të ekipit.

Lojtari ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Barcelonën dhe tani pret që klubet të gjejnë gjuhën e përbashkët për finalizimin e transferimit.