Hamza para takimit me Kurtin: Prioritet programi, jo postet; theks te raportet me aleatët, ambienti i biznesit dhe rritja e pagave e pensioneve.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, para takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se PDK nuk ka marrë pjesë në zgjedhje me qëllimin për të fituar poste ministrore. Ai ka theksuar se prioriteti kryesor për partinë e tij është programi politik.
Hamza ka shtuar se PDK synon zhvillimin e raporteve të mira me aleatët, krijimin e një ambienti të favorshëm për bizneset dhe rritjen e pagave e të pensioneve.
“Qëllimi ynë është i qartë. Jemi konsistentë. Nuk kemi linja të kuqe, jam i gatshëm të bisedoj me çdo lider politik. Ne kemi garuar me program, jo për të pasur pesë ministra në këtë pozicion apo në atë pozicion. Kemi garuar për të rritur pagat e pensionet, për të pasur një ambient të mirë për bizneset, për të pasur partneritet me aleatët, për t’i trajtuar si partnerë, dhe shumë prioritete të tjera”, ka deklaruar Hamza.
