Kryeministri Rama akuzon opozitën: “Të papërgjegjshëm, kërkojnë bllokimin e anëtarësimit në BE”
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij sot në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr. 14 në Tiranë, lëshoi akuza të forta ndaj opozitës.
Rama theksoi se opozita po denoncon qeverisjen aktuale te partnerët europianë, duke ngritur shqetësime për keqqeverisje, “narko-shtet” dhe korrupsion në kabinetin e tij.
Sipas Ramës, këta individë janë “të papërgjegjshëm” dhe nuk e kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Ai theksoi se asnjë komb tjetër nuk u ka bërë një gjë të tillë bashkëkombasve të vet, pavarësisht dallimeve politike, duke përmendur si shembull edhe Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri shtoi se ky është një moment historik ku “fati po i buzëqesh shqiptarëve” dhe humbja e kësaj mundësie do të kërkonte vite për t’u rikuperuar.
“Nuk lënë gjë pa thënë që ky proces të mos ndodhë,” citohet Rama, duke shtuar se edhe në vende të tjera ka luftë politike, por “kurrë maqedonasit nuk ua kanë bërë këtë punë bashkëkombasve të tyre.” Ai theksoi se qeveria “nuk ka çfarë t’u bëjë atyre individëve të papërgjegjshëm që nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë.”
Sipas kryeministrit, opozita po tenton të dëmtojë një moment “ku fati dhe historia po i buzëqeshin shqiptarëve,” një mundësi “madhështore dhe gjëja më e jashtëzakonshme që mund të bëjmë për fëmijët tanë.” Ai paralajmëroi se, nëse “dera mbyllet,” do të duhen vite për të rikuperuar. Rama shpjegoi ndryshimin mes udhëtimit pa viza dhe anëtarësimit të plotë: “Të duket sikur je europian se ikën pa vizë, shkon ku të duash, por kur zbret nga avioni nuk je më europian atje, je i huaj. Ndërkohë që duke u bërë Shqipëria vend anëtar, je vendas në çdo qytet të BE-së.”
