Komuna e Prishtinës ka njoftuar se segmenti i rrugës “Fehmi Lladrovci”, që shtrihet nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, do të jetë i mbyllur përkohësisht për qarkullim nga data 10 deri më 18 korrik. Mbyllja vjen si pasojë e punimeve të planifikuara që do të kryhen në atë pjesë të rrugës.

Si rezultat i kësaj mbylljeje, do të ketë ndryshime në itinerarin e dy linjave të Trafikut Urban, linjave numër 3 dhe 4.

Sipas njoftimit të Trafikut Urban, devijimi i itinerarit do të aplikohet vetëm në drejtimin hyrës, ndërsa në drejtimin e kthimit, qarkullimi do të vazhdojë sipas itinerarit të rregullt.

**Për Linjën nr. 3 (Bardhosh ➜ Rrethi i Matit):**
Autobusët do të kalojnë nëpër rrugët: Eqrem Çabej → Afrim Zhitia → Xhevë Lladrovci → Astrit dhe Arbnor Dehari → Rrethi i Matit.

**Për Linjën nr. 4 (Parku i Gërmisë ➜ Matiqan):**
Autobusët do të kalojnë nëpër rrugët: Eqrem Çabej → Afrim Zhitia → Xheladin Rekaliu → Matiqan.

Në drejtimin e kundërt – Matiqan ➜ Parku i Gërmisë (Linja nr. 4) dhe Rrethi i Matit ➜ Bardhosh (Linja nr. 3) – qarkullimi i autobusëve do të zhvillohet sipas itinerarit të rregullt, pa ndryshime.