**Koncerti i Kanye West në Kashar: Policia njofton bllokime rrugore në Tiranë**
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar masat e reja dhe kufizimet e përkohshme të qarkullimit të mjeteve, të cilat do të aplikohen sot në kryeqytet, në kuadër të koncertit të reperit të njohur botëror, Kanye West, që do të zhvillohet në Kashar.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 24:00 të mesnatës, do të ketë ndryshime thelbësore në trafikun e disa akseve kryesore.
**Kufizimet në qarkullim do të jenë si vijon:**
* **Nga ora 07:00 deri në orën 24:00:**
* Do të ndalohet qarkullimi në segmentin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, duke filluar nga zona e “Eiffelit” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm si sens daljeje, me akses të kufizuar për mjetet e subjekteve apo banorëve vendas.
* Gjithashtu, do të ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, pranë rrethrrotullimit të “Casa Italia-s”.
* **Nga ora 12:00 deri në orën 24:00:**
* Do të ndalohet qarkullimi në segmentin rrugor “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
* Ndalesë qarkullimi do të ketë edhe në segmentin “Rruga Sokrat Miho – rruga Kasem Shima – rruga 7 Nëntori”. Ky segment do të funksionojë vetëm si sens daljeje.
Policia thekson gjithashtu se, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve në koncert, mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit të automjeteve edhe në zonën nga Ura e Institutit deri tek “Casa Italia”. Këto masa merren me qëllim menaxhimin efikas të trafikut dhe garantimin e zhvillimit normal e të sigurt të aktivitetit.
Gjatë intervaleve orare të mësipërme, akses në zonat e kufizuara do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit. Policia apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, si dhe këshillon përdorimin e rrugëve alternative.
