**Buxhovi: Partnerët perëndimorë, të shqetësuar nga qasja politike e Kurtit**

Historiani Jusuf Buxhovi ka adresuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se qasja e tij politike ka krijuar shqetësim edhe tek partnerët perëndimorë të Kosovës.

Gjatë emisionit ‘Rubikon’ në Klan Kosova, Buxhovi shprehu mendimin se Kurti udhëhiqet nga një lloj “mesianizmi politik” ndaj vetes dhe partisë që drejton.

“Albin Kurti operon me bindjen e një mesianizmi politik, për veten dhe subjektin e tij. Kur arrin të marrë një numër të madh votash për pushtet, këtë e transformon në një logjikë politike që paraqet dy mospërputhje thelbësore. E para është logjika e numrave, me synimin për të fituar sa më shumë të jetë e mundur. Kjo, në thelb, eliminon opozitën dhe nuk është një qasje demokratike”, deklaroi Buxhovi.

Historiani theksoi gjithashtu se “mburrja me shumicën numerike” (referuar numrit të votave), sipas tij, është e dëmshme dhe ka krijuar shqetësim edhe te vendet perëndimore.

“Kjo situatë ka shqetësuar Perëndimin dhe çdo aktor që dëshiron të mirën e Kosovës. Veprimet e Kurtit janë në mospërputhje të thellë me qëndrimet e Perëndimit, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e çuar Kosovën drejt një situate ku mund të sanksionohet dhe të izolohet politikisht. Nga kjo situatë, Serbia mund të përfitojë politikisht”, u shpreh Buxhovi.