Kryeministri Albin Kurti ka shprehur pakënaqësi ndaj refuzimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për një takim. Në reagim, kandidati për deputet i AAK-së, Avni Arifi, i ka kujtuar Kurtit se Aleanca nuk ishte ftuar fare në diskutimet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Arifi theksoi se sot, AAK-ja po i duhet Kurtit për çështjen e presidentit.

“Kur foli dje Kurti për Aleancën, e kisha bindjen se ai përnjëmend beson se qytetarët e kanë memorien e mizës,” shkroi Arifi. “Ishte prekë paksa që Aleanca nuk pranoi t’i bashkohej, por e kishte harruar që vetëm pesë muaj më parë Aleancën, siç tha ai dje, ‘të respektuar’, as që e kishte ftuar në bisedime për krijimin e institucioneve.”

Arifi shtoi se Aleanca mbetet e njëjta parti, me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat qëllime. “Ndryshimi i vetëm është se atëherë nuk i duheshim, sot po. Jo për krijim institucionesh, sepse ai i ka numrat për kuvend e qeveri, por për krijimin e një narrative të rreme se dëshiron të gjejë konsensus për Presidentin,” shpjegoi ai.

Në vijim, Arifi theksoi se “Aleanca, me ofertën e saj, ka treguar se interesin e vendit e vendos para interesit partiak. Nuk kërkon as nuk do asgjë për vete nga Kurti, por as nuk ka ndonjë interes për biseda konstruktive me të.”

Ai përfundoi duke theksuar se “Kosova nuk ka kohë për ‘diskutime boshe’. Kosova ka nevojë për zgjidhje konstruktive. Gjashtë pikat e ofruara janë një ofertë ku përfituesi më i madh është vetëm Kosova.”