Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit shprehu zhgënjimin lidhur me refuzimin e AAK-së për një takim.

Arifi i kujtoi Kurtit se Aleanca nuk ishte ftuar fare për diskutime pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas zyrtarit të AAK-së, AAK-ja i nevojitet kryeministrit Kurti sot për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Kur foli dje Kurti për Aleancën,” shkroi Arifi, “më krijoi bindjen se ai me të vërtetë beson se shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër. Kryeministri u ndje paksa i prekur që Aleanca nuk pranoi t’i nënshtrohej vullnetit të tij, por kishte harruar se vetëm pesë muaj më parë Aleancën, të cilën ai dje e quajti ‘të respektuar’, as që e kishte ftuar në bisedime për krijimin e institucioneve.”

“Aleanca është e njëjta parti, me të njëjtët njerëz dhe, përsëris, me të njëjtat qëllime. Ndryshimi i vetëm është se atëherë nuk ishim të nevojshëm, sot jemi. Jo për krijim institucionesh, sepse ai i ka numrat e nevojshëm për Kuvend dhe Qeveri, por për krijimin e një narrative të rreme se gjoja dëshiron të gjejë konsensus për Presidentin.”

“Aleanca, me ofertën e saj, ka treguar se interesin e vendit e vendos para interesit partiak. Ne nuk kërkojmë dhe nuk dëshirojmë asgjë për vete nga Kurti, por as nuk kemi dëshirë për biseda konstruktive me të.”

“Kosova nuk ka kohë për “biseda konstruktive”. Kosova ka nevojë për zgjidhje konstruktive. Gjashtë pikat e ofruara janë një ofertë ku përfituesi më i madh është vetëm Kosova,” shkroi ai.