**Bujqësia në Kosovë, drejt modernizimit: Kurti shpall mbi 75 mijë hektarë drithëra të mbjella dhe rritje subvencionesh**

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se bujqësia kosovare po merr një drejtim gjithnjë e më modern dhe konkurrues, falë investimeve serioze, planifikimit afatgjatë dhe mbështetjes institucionale. Këto komente ai i bëri gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve në Podujevë, ku deklaroi se këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra, nga të cilat rreth 72 mijë hektarë janë grurë.

“Ky model dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim gjithnjë e më modern dhe konkurrues,” theksoi Kurti. “Sivjet në Republikën e Kosovës janë mbjellë gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej katër deri në pesë tonë për hektar. Procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut, ose, në rast reshjesh, mund të zgjasë deri në javën e parë të gushtit në zona të caktuara të Kosovës.”

Duke iu referuar rezultateve të vitit të kaluar, Kurti tha se ishin korrur mbi 78 mijë hektarë, me një rendiment mesatar prej 4.8 tonë për hektar, duke prodhuar afër 380 mijë tonë grurë. “Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh të bujqësisë sonë, por edhe punën e palodhur të fermerëve. Ato nuk janë rastësi; janë fryt i përkushtimit të fermerëve dhe i politikave që u ofrojnë atyre siguri për të investuar,” shtoi ai.

Për këtë arsye, Kurti theksoi një sezon të mirë dhe një model të ri të mbështetjes së fermerëve. Në udhëzimin administrativ për pagesat direkte 2026, siç tha ai, është ndërtuar një sistem modern, i drejtë dhe stimulues, i cili nuk mbështet vetëm sipërfaqen e mbjellë, por edhe prodhimin, cilësinë, fermerët e rinj, fermat e vogla dhe praktikat e qëndrueshme të prodhimit.

Lidhur me mbështetjen për fermerët për këtë vit, kryeministri Kurti detajoi: “Paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme dhe mbështetje edhe për sektorë të tjerë strategjikë. Për shembull, për sektorin e perimeve e kemi rritur mbështetjen me 30%, duke e çuar subvencionin në 1054 euro për hektar për sipërfaqet e mbjella në fushë të hapur apo në sera. Me 30% është rritur mbështetja edhe për sipërfaqet e mbjella me pemë, ndërsa me 20% për grurin me rendiment të lartë, mjedrat, patatet, fasulet, mëshqerrat për riprodhim dhe viçat për majmëri. Për vreshtat kemi rritur mbështetjen prej 10%, ndërkaq vazhdon subvencioni prej 7 centësh për çdo litër qumësht të dorëzuar.”

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, paralajmëroi se prodhimi i grurit mund të arrijë për herë të parë rreth 400 mijë tonë. “Sivjet të gjitha shenjat janë që do të kemi një rendiment rekord në Kosovë. Projeksionet tregojnë se do të kemi diku rreth 400 mijë tonë grurë këtë vit, gjë që do të shënojë herën e parë që Republika e Kosovës arrin 400 mijë tonë dhe është rreth 50 mijë tonë më shumë se në vitin 2021,” tha Muja. Ai shtoi se rreth 23 mijë fermerë pritet të përfitojnë nga skema e subvencioneve për grurin, me pagesa për hektar që do të luhaten mes 460 dhe 600 eurosh.