**Inflacioni Rëndon Buxhetet Familjare në Kosovë, Qytetarët Ankohen ndërsa Kaçaniku Kërkon Vëmendje për Mbrojtjen e Konsumatorit**

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazë po rëndon ndjeshëm buxhetin e familjeve në Kosovë. Qytetarët shprehen se kostoja e jetesës është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online, vlerëson se inflacioni është një fenomen global, por thekson se Kosovës i mungojnë mekanizmat efektivë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Qytetari Hasan Rafuna vlerëson se çmimet janë rritur ndjeshëm, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të mos kenë mundësi t’i përballojnë. “Çmimet janë shumë të larta, shumica e njerëzve nuk po mund t’i përballojnë,” shprehet ai. Sipas Rafunës, inflacioni ka zhvlerësuar edhe rritjen e pagave, ndërsa kërkon ndërhyrje nga institucionet. “Të gjitha, siç i shoh unë, janë shtrenjtuar. Qeveria duhet të ndërhyjë, inflacioni ka shkuar tepër lart. Pagat janë jo stabile, jo të larta. Ndonëse thuhet se paga është rritur me 500 euro, ajo tani vlen 250 euro për shkak të ngritjes së çmimeve. Çfarë mund të bëjnë punëtorët me atë pagë, kur kanë shumë anëtarë të familjes?” pyet ai. Ai shton se shpenzimet për furnizimin e familjes janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara. “Të gjitha produktet po rriten, brenda javës çmimet shkojnë lart. Po flas realisht, më parë me 200 euro mbuloja shpenzimet e shtëpisë, tani me 400 euro nuk mund ta arrij atë nivel. E çfarë po bëjnë pushtetarët tanë? Ata vetëm po garojnë për karrige, nuk po mendojnë për popullatën e Kosovës, por për xhepat e tyre. Pagat i kanë të larta, e për ne nuk u intereson,” tha ai.

Edhe qytetarja Sadbere Buja u shpreh se çmimet janë të larta në raport me të ardhurat, veçanërisht për pensionistët. “Çmimet janë të larta në krahasim me të ardhurat që kemi, pasi ne jetojmë me pensione,” tha ajo për Ekonomia Online. Buja shtoi se rritja e përgjithshme e çmimeve e ka bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve mujore. “Të gjitha, në përgjithësi, janë më të shtrenjta. Me të ardhurat që kemi, mezi po dalim në skaj, por duhet të hamë patjetër, nuk ka zgjidhje tjetër,” u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, qytetari Hamdi Krasniqi shprehet se, krahasuar me periudhat e mëhershme, disa çmime nuk i duken më aq të larta. Megjithatë, ai thekson se produktet bazë ushqimore vazhdojnë të jenë të kushtueshme. “Vaji, sheqeri dhe të tjera gjëra bazë janë të shtrenjta, por nuk ke zgjidhje tjetër veç t’i përdorësh,” tha ai.

Selatin Kaçaniku thekson se përgjegjësia për gjendjen aktuale me çmimet nuk u takon vetëm institucioneve, por edhe vetë qytetarëve, të cilët, sipas tij, ndër vite nuk e kanë trajtuar mbrojtjen e konsumatorit si prioritet gjatë zgjedhjeve. “Është e dhimbshme sepse kjo situatë me çmimet vazhdon prej vitesh, ndoshta dekadash, ndërsa përgjigjja adekuate e qytetarëve konsumatorë dhe taksapaguesve ende mungon. Për të qenë vetëkritikë – dhe duhet gjithmonë të jemi vetëkritikë – një pjesë e përgjegjësisë është e jona. Kam apeluar vazhdimisht që qytetarët të votojnë partitë dhe kandidatët me program për mbrojtjen e konsumatorit, por ne kemi votuar ata pa program të tillë. Asnjë legjislaturë qeveritare nuk ka dëshmuar se njeh qytetarin konsumator dhe ka parasysh të drejtat, obligimet, interesat dhe identitetin e kauzës së konsumatorit,” deklaroi ai.

Kaçaniku shtoi se qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet për të adresuar ankesat e tyre. “Qytetari konsumator ka rënë në pasivitet, ka filluar të humbasë besimin. Ata që janë më aktivë, ankohen drejtpërdrejt përmes mediave. Nga ana tjetër, inspeksionet ankohen për mungesë stafi, mbështetje financiare dhe teknike. Nëse rasti shkon në gjykatë, ajo është e stërngarkuar, dhe një 75-vjeçar duhet të presë 10 vjet për zgjidhjen e rastit, pa garanci se do të jetojë aq gjatë për ta pritur dhe gëzuar vendimin gjyqësor,” tha ai.

Sa i përket masave parandaluese për rritjen e çmimeve, Kaçaniku deklaroi se inflacioni është një problem global dhe nuk ka masa të menjëhershme parandaluese. “Nuk ka masa, sepse është problem global, trashëguar që nga periudha e paraluftës. U intensifikua dhe filloi si ortek bore me pandeminë COVID-19, pastaj u përshpejtua nga lufta në Ukrainë, eskaloi edhe më tej nga lufta Izrael-Iran dhe ngushtica e Hormuzit po ndikon gjithashtu. Ne jemi në pamundësi të bëjmë diçka vetë si shtet,” shpjegoi ai. Kaçaniku shtoi se një mundësi e vogël do të ishte pasja e valutës sonë, por kjo nuk është arritur, si dhe rifunksionalizimi i kapaciteteve prodhuese që dikur ishin para luftës, por që u privatizuan në mënyrë të papërgjegjshme. “Projekti ose ligji për partneritetin publiko-privat është në dorën e partive publike, por askush nuk është i interesuar t’i japë mundësi askujt të investojë dhe të përfitojmë të gjithë,” përfundoi Kaçaniku.